Teoria e djathit kaçkavall mbi koronavirusin

djathi 600x338

Shumë vende po përballen me valën e dytë të koronavirusit dhe qeveritë kanë ndërmarrë masa të ndryshme shtrënguese për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Por, disa shkencëtarë mendojnë se asnjë nga masat nuk është më efektive sesa bashkimi i të gjitha masave. Këtë gjë ata e quajnë “teoria e djathit kaçkavall”.

Virologu australian Ian Mackay, profesor në Universitetin e Kuinslendit, thotë se asnjë masë shtrënguese nuk është e fortë mjaftueshëm për të ndalur koronavirusin, pasi çdo masë ka hapësira që e lejojnë kalimin e virusit. Por, të gjitha masat bashkë e bëjnë më të fortë barrierën ndaj Covid-19.

Si shembull, ai merr fetat e holla të djathit kaçkavall. Nëse i konsiderojmë këto feta djathi si masa shtrënguese, secila prej tyre ka vrima që e lejojnë virusin që të kalojë. Por, nëse bashkohen bashkë, vrimat do të mbyllen dhe mund të krijohet një mur i pakalueshëm për virusin.

Në total, Mackay flet për 10 “feta djathi”. 5 kanë të bëjnë me përgjegjësitë individuale dhe 5 me përgjegjësitë shoqërore.

1. Respektim i distancës sociale dhe qëndrimi në shtëpi nëse kemi simptoma.

2. Përdorimi i maskës.

3. Larja e shpeshtë e duarve.

4. Shmangia e prekjes së fytyrës.

5. Shmangia e qëndrimit në vende me shumë njerëz, sidomos nëse janë ambiente të mbyllura.

6. Shënjestrimi i kontakteve dhe testimi i tyre i shpejtë.

7. Ajrosja e mirë e ambienteve të mbyllura.

8. Komunikimi i qartë i rregullave për popullin, me mesazhe që kuptohen lehtë.

9. Mbikëqyrja e karantinimit të rasteve të konfirmuara dhe kontakteve të tyre.

10. Në fund, krijimi i vaksinës. Ndërkohë që pritet vaksina, duhen respektuar pikat e mësipërme.