Tepër e fortë për ne, Anglia U-21 “shkatërron” Shqipërinë

Angli shqiperi 1100x620

Anglia me një dyshe “yjesh” si Hudson-Odoi dhe Nketiah, që luajnë për ekipe si Chelsea dhe Arsenal, shkatërron Shqipërinë 5-0 në ndeshjen e fundit e vlefshme për kualifikimet e Europianit të kategorisë Under -21.  

Ekipi i Alban Bushit, që për shkak të COVID-19 zëvendësohej nga Mustedanagic, nuk mundi shumë përballë britanikëve që kaluan menjëherë në avantazh falë një aksioni të bukur të Hudson-Odoi në minutën e 5, ku faj kishte edhe portieri Molla.

Në pjesën e parë Anglia do të shënonte sërish me Justin dhe Musiala, ndërkohë që pjesa e dytë shndërrohet pothuajse në një stërvitje, ku sërish shtohen dy golat e Nketiah, si dhe një penallti e tij e pritur nga Molla.

Vlen të theksohet se rezultati i ndeshjes nuk kishte ndonjë ndikim në një kualifikim të mundshëm të shqiptarëve, nga momenti që edhe me një fitore kuqezinjtë nuk mund të arrinin 5 të dytat më të mira nga grupet, që kualifikohen bashkë me të parat.