Vjosa Osmani infektohet nga Covid-19, pas kontaktit me të afërm pozitivë

vjosa osmani 1100x620

Presidentja dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, rezulton e prekur nga Covid-19, pas kontaktit me disa të afërm pozitivë. Lajmin e ka dhënë vetë Osmani përmes një postimi në Facebook ku shkruan se në dy javët e ardhshme do të punojë nga shtëpia, duke trajtuar në kohë të gjitha funskionet shtetërore, ndërsa takimet do t’i zhvillojë virtualisht.

Njoftimi i Vjosa Osmanit

Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.

Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.

Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë  këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.

Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!