Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Zgjerimi i BE, Bullgaria do të vendosë veton për Shkupin

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2020, 13:24 | Bota
Zgjerimi i BE, Bullgaria do të vendosë veton për Shkupin

Miratimi i kornizës së propozuar të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të martën, duhej të ishte thjesht një çështje teknike.

Me zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë së Veriut, apo reformimit të procesit të zgjerimit për të kënaqur shtetet skeptike si Parisi, mendohej se pengesat e mëdha ishin tejkaluar. Por, në bisedimet e së martës, do të jetë Bullgaria ajo që do të mbyllë rrugën e fqinjëve drejt BE. Siç dihet, Bullgaria këmbëngul në zgjidhjen e problematikave që kanë të bëjnë me historinë dhe gjuhën e përbashkët me Maqedoninë e Veriut, para se të japë dritën jeshile.

Sofia do garanci se Maqedonia e Veriut nuk ka pretendime për njohje të minoritetit të saj brenda kufijve bullgarë, apo pretendime territoriale. Bullgaria kërkon shmangie të frazës, gjuha maqedonase, që sipas saj vjen nga bullgarishtja dhe dakordësim mbi figurat e diskutueshme historike nga fillimi i shekullit të 20-të.

Ndërsa, burime diplomatike në Bruksel thonë se ka ende gjasa që korniza e negociatave të aprovohet para fundit të vitit, mediat bullgare thonë se Sofia nuk ka ndërmend të bëjë hapa prapa.

Çështja mund të ndihmojë kryeministrin Borisov të rifitojë pjesë të popullaritetit të humbur, para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Që prej muajit korrik, mijëra protestues në qytetet më të mëdha në vend i kërkojnë dorëheqjen për dështimin në luftën kundër korrupsionit. Para takimit të së martës, zëvendësministri i Jashtëm gjerman, Michel Roth, tha se procesi i zgjerimit nuk mund të mbetet peng i kërkesave bilaterale të shteteve individuale.

Bllokimi i çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut çon automatikisht në shtyrjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, pasi kjo e fundit nuk i ka plotësuar kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe BE. Shqipëria penalizohet nga mungesa e gjykatave kryesore ende jofunksionale, ndërsa vendet skeptike kanë vënë theksin te mungesa e konsensusit për ndryshimet kushtetuese dhe kodit zgjedhor të 5 tetorit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani