9 mësues të infektuar me koronavirus në qarkun e Kukësit

9 mësues, nga të cilët 7 në Kukës dhe 2 në Has, si dhe 1 nxënës, raportohet se janë infektuar me koronavirus në qarkun e Kukësit.

Ndërsa në Tropojë, një kopsht është mbyllur për shkak të infektimit të njërës prej edukatoreve. Prefekti i qarkut, Zenel Kuçana, tha se janë vatra të izoluara dhe nuk cenojnë procesin mësimor.

Problematike vijon të mbetet respektimi i masave nga qytetarët. Pavarësisht rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus, një pjesë e qytetarëve nuk i vendosin maskat mbrojtëse ose i mbajnë poshtë mjekrës ndërsa lëvizin në rrugët e qyteteve te qarkut Kukës.