”Anja” e Ahmet Prençit, drama njerëzore që rrëfen pengun e një rinie që jetoi pa dashurinë

Nga atje, buzë Drinasit, ku ndezi puthja e tyre, më vjen një zë thellësie, një pyetje qiellore: dashuri pa martesë apo martesë pa dashuri? Nga atje, në Paris më vjen pyetja e Anjës: një dashuri e shkurtër me vuajtje të gjatë apo një martesë e gjatë pa vuajtje dashurie?

Me këto dy pyetje, autori i Anjës ju fton të lexoni romanin e tij të parë artistik. Ahmet Prençin e njihni si ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit apo edhe si drejtorin e Hetimeve Tatimore, por Anja na prezanton një tjetër kostum që ai e do shumë, letërsinë.

Kjo nuk është e para sprovë artistike, pasi Prençi ka botuar më herët poezi, ndonëse më së shumti njihet për artikujt, analizat dhe librat publicistikë që ka botuar më herët. Anja, gjithësesi, shënon një sprovë të parë të autorit në gjininë e romanit artistik.

Anja është një ribotim nga Toena, nga ku autori ka gjetur përkrahjen për ta sjellë më të mirë, duke marrë në konsideratë të gjithë këshillat e atyre që e kanë ndihmuar romanin që tashmë Prençi nuk e konsideron të vetin, por e quan të lexuesit.