Bilanc i hidhur vdekjesh në Europë, por autoritetet shëndetësore thonë se ka nisur stabilizimi

Lufta e Europës me valën e dytë të pandemisë së Covid-19, vijon e ethshme, ndërsa rastet dhe vdekjet e konfirmuara prekin çdo ditë rekorde të reja.

Italia raportoi 731 humbje jetësh, në 24 orët e fundit, shifra më e lartë që prej fillimit të prillit. Por, infektimet e reja ishin në rënie, me rreth 32 mijë të tilla, të regjistruara në një ditë.

Me gjithë bilancin e hidhur të vdekjeve, autoritetet shëndetësore thonë se situata pandemike ka filluar të stabilizohet. Ministria e Shëndetësisë u kërkoi qytetarëve të tregohen vigjilentë e t’u përmbahen masave të sigurisë.

Franca u bë vendi i parë europian që tejkaloi pragun e 2 milionë infektimeve dhe i 4-ti në botë, pas Shteteve të Bashkuara, Indisë dhe Brazilit. Autoritetet e kanë cilësuar si brutale valën e dytë të pandemisë, por megjithatë ministri i Shëndetësisë Olivier Véran theksoi se sakrificat e popullit po shpërbleheshin. Vendi është në izolim 4-javor që prej 30 tetorit, dhe ekspertët thonë se piku i pandemisë ka kaluar tashmë.

Spanja regjistroi rreth 5800 raste të reja e 435 vdekje, në 24 orët e fundit, bilanci më tragjik që prej nisjes së valës së dytë. Qeveria austriake njoftoi se nga 17 nëntori deri në 6 dhjetor do të shtojë kufizimet, për frenimin e pandemisë. Të gjitha bizneset, me përjashtim të supermarketeve dhe farmacive u mbyllën, punonjësit inkurajohen të punojnë nga shtëpia dhe banorët nuk lejohen të dalin përveçse për arsye të domosdoshme.

Serbia raportoi një numër rekord prej gati 5 mijë të infektuarish të martën, për një total prej 92 mijë rastesh. Covid-19 u ka marrë jetën 1054 personave në këtë vend. Nga 17 nëntori, restorantet, kafenetë, qendrat tregtare dhe biznese të tjera do të mbyllin dyert nga ora 21 e mbrëmjes, në një përpjekje për të ulur kurbën e infektimeve