Denoncimi i PD, Zhupa: Nxënësit mësim me 4 turne, paratë për miqtë e qeverisë

WhatsApp Image 2020 11 18 at 10.11.55 1100x620

Partia Demokratike ka denoncuar gjendjen, sipas saj, të rënduar në shkollat e Kombinatit, ku fëmijët janë detyruar të bëjnë mësime me 4 turne.

Nga shkolla “Shyqyri Peza”, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, tha se paratë që duhet të shkonin për rindërtimin e shkollave, shkojnë për miqtë e Edi Ramës.

“Kombinati ishte një nga zonat më të goditura të Tiranës nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar. Ende sot, banorët vuajnë pasojat, duke zhvilluar mësimin me 4 turne në shkollat e kombinatit. Pasi për shkollat që janë dëmtuar nga tërmeti nuk është bërë asgjë për t’i rregulluar. Nuk është bërë asgjë për të filluar rikonstruksionin e tyre, apo shembja e tyre nëse do të mendohet ë përshtatshme për të ndërtuar të reja. Është lënë një vit pa bërë asgjë.

Ndërkohë që ne po përballemi dhe jemi në mes të një pandemie, nxënësit janë të detyruar bashkë me prindërit e tyre, të përballojnë mësimin me 4 turne në shkollat ekzistuese të Kombinatit. Duke mos pasur asnjë mundësi për të marrë parasysh dhe zbatuar rregullat që diktohen nga pandemia: si distanca sociale, apo siguria në momentin e daljes apo të hyrjes nga turnet që zhvillojnë mësimin deri në orën 6 pasdite, në këtë shkollë dhe në shkollat e tjera të Kombinatit.

Ndërsa paratë tona shkojnë për inceneratoret, për tendera, për PPP korruptive, nxënësit janë të braktisur në mëshirë të fatit. Ndërkohë që Veliaj bën konferencierin e tallavave në televizione me kaseta të përgatitura, nxënësit e Tiranës nuk kanë kushtet të cilat meritojnë. Ata kanë menduar që paratë  e shqiptarëve ti çojnë atje ku mund t’i marrin bashkë me grupin e strukturuar kriminal që kanë ngritur për të vjedhur taksat ë shqiptarëve”, tha Zhupa.