Gjyqi në Hagë, mbi 40 mijë faqe material kundër ish-anëtarëve të UÇK, avokatët kërkojnë liri pa kusht

Dhomat e Specializuara të Kosovës mbajtën seancën e radhës për rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Prokuroria kërkoi që gjyqi kundër tyre të nisë në verën e vitit 2021 dhe njoftoi se disponon një material me mbi 40 mijë faqe, ku përfshihen prova, intervista, deklarata të dëshmitarëve, materiale audio dhe video si dhe mbi 150 dëshmitarë.

Por, avokatët mbrojtës kundërshtuan këtë propozim duke theksuar se nuk kanë kohë mjaftueshëm që të kontrollojnë dhe të verifikojnë provat apo faktet e mbledhura. Përfaqësuesi ligjor i ish-presidentit Thaçi, David Hooper, tha se duhen të paktën 18 muaj deri në fillimin e gjykimin.

Ai gjithashtu kundërshtoi formulimin e aktakuzës së konfirmuar nga Gjykata Speciale dhe kërkoi lirimin me kusht të Thaçit.

 “Është synimi ynë që të aplikojmë për lirimin e tij me kusht. Po ashtu, e kam sugjeruar edhe në seancën e mëparshme dhe dua ta theksoj edhe sot që modalitetet ose mënyrat se si duhet të realizohet ky ushtrim. […] Unë kam marrë versionin e redaktuar të kërkesës së prokurorisë për një urdhërarrest dhe më duhet të them që në këtë dokumentacion ka disa redaktime të çuditshme”, deklaroi David Hooper, avokat i Hashim Thaçit.

Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson përsëriti kundërshtinë për aktakuzën dhe kërkoi lirimin me kusht të klientit duke thënë se lufta e UÇK-së ishte për mbrojtje të popullatës në Kosovë nga gjenocidi dhe krimet e ushtrisë serbe.

Ndërkohë, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe kundër njerëzimit në përballjen e parë në Gjykatën Speciale. Seanca e radhës për ecurinë e çështjes pritet të mbahet mesin e muajit dhjetor.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 17 viktima në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 795 raste në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 388 të shëruar në 24 orët e fundit