Manifestim kundër kufizimeve, policia në Gjermani shpërndan me forcë protestuesit

Mijëra gjermanë protestuan në Berlin kundër masave për frenimin e pandemisë koronavirus. Ata ngritën zërin duke kundërshtuar një ligj, i cili i jep fuqi qeverisë së kancelares Angela Merkel të vendosë kufizime për kontaktet sociale, konsumin e alkoolit në publik, mbylljen e dyqaneve dhe ndalimin e eventeve sportive.

Policia gjermane ndërhyri për të shpërndarë protestuesit duke përdorur forcën dhe ujin. Efektivët tentuan fillimisht që të bindin manifestuesit të vendosnin maska dhe të ruanin distancimin fizik, por qytetarët refuzuan të ndiqnin rregullat në fuqi për organizimet publike.

Gjatë ndërhyrjes së policisë pati edhe përleshje, ndërsa protestues të ndryshëm u ndaluan gjatë trazirave. Disa prej protestuesve lëshuan fishekzjarre dhe flakadanë në drejtim të forcave policore. Ndërkohë, partia ekstremiste Alternativa për Gjermaninë e krahasoi ligjin e kërkuar nga partia e Merkelit me aktivizimin e aktit të vitit 1933, që i hapi rrugë diktaturës naziste të Adolf Hitlerit.

Edhe kritikët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me ndonjë cenim të mundshëm të të drejtave civile.