Nuk dorëzohet Trump, shkarkon zyrtarin e lartë të zgjedhjeve

Presidenti Donald Trump shkarkoi përmes një mesazhi në Twitter zyrtarin e lartë të sigurisë kibernetike Chris Krebs, duke e akuzuar atë se bëri një deklaratë “shumë të pasaktë” ku pohoi se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin të sigurta duke hedhur kështu poshtë pretendimet e mashtrimit elektoral.

Trump, disa orë pas nisjes së numërimit të votave, deklaroi se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe refuzon të pranojë humbjen ndaj  Joe Biden. Fushata e tij ka ngritur disa beteja ligjore në shtetet kryesore, megjithëse zyrtarë zgjedhorë në të dy krahët shprehen se nuk ka prova për parregullsi serioze.

Puna e Krebs në mbrojtjen e zgjedhjeve nga hakerat dhe luftimin e dezinformimit rreth votës fitoi vlerësime nga ligjvënësit e të dy partive, si dhe zyrtarët shtetërorë dhe të zgjedhjeve në të gjithë vendin. Por ai shkaktoi zemërimin e Trump dhe aleatëve të tij pasi refuzoi të mbështeste akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.