Pas 29 vitesh thyhet armëpushimi në një nga territoret më të kontestuara në botë

Një armëpushim që ka zgjatur 29 vjet, edhe pse me incidente të ndryshme gjatë gjithë kohës, ka përfunduar tashmë, për më shumë në një nga zonat më të mëdha të kontestuara në botë.

Diçka që nuk habit, në vitin 2020, edhe pse shkaku në këtë rast nuk është pandemia po manovrat ushtarake që Maroku po zhvillon në Sahara Perëndimore.

Territori është një nga zonat më të vështira për mbijetesën për shkak të shkretëtirës që mbulon pjesën më të madhe të tij.

Saharaja Perëndimore, koloni spanjolle deri në vitin 1976, u bë zonë e njohur nga opinioni publik për konfliktin midis Marokut, që aktualisht kontrollon rreth 75% të territorit, veçanërisht atë bregdetar dhe Frontin e Polisarios, të përfaqësuar nga banorët lokalë që pretendojnë pavarësinë.

Në vitin 1991, pas një konflikti të përgjakshëm, palët arritën një armëpushim, ku Polisario është tërhequr në zonat lindore. Megjithatë, ky armëpushim tashmë është i tejkaluar, siç ka deklaruar lideri i Polisarios, Brahim Ghali, që i ka quajtur provokim manovrat ushtarake marokene. Burime afër rebelëve thonë se sulmet kanë filluar që tani, “me humbje jete dhe shkatërrim të planeve ushtarake marokene”.   

OKB-ja, që në atë zonë ka një kontingjent paqeruajtësish me misionin MINURSO, po tenton të ndërmjetësojë midis palëve, për të mos e bërë edhe më të nxehtë atë pjesë të shkretëtirës afrikane.