Pse nuk denoncohet puna në të zezë? Ekspertët shpjegojnë në A2 Business Week

biznesi 1100x620

Vetëm 6 denoncime janë bërë për punën në të zezë, tha për A2 Business Week drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj, referuar thirrjes së kryeministrit Rama gjatë pandemisë, se për ata që denoncojnë këtë fenomen, do të ketë edhe një shpërblim financiar.

Sipas Brahimajt ky është një numër shumë i ulët krahasuar me numrin normal të denoncimeve të informalitetit që është 200-440 në javë dhe nuk ka pasur asnjë dokument që të shërbente si indicie për të nisur një proces.

Të ftuar në A2 Business Week, ish/zëvendësministrat Kastriot Sulka dhe Elton Harxhi, si edhe sipërmarrësi Arben Shkodra ndanë mendimet e tyre në lidhje me mosreagimin për të denoncuar informalitetin.

Për ish-zv/ministrin e Financave Elton Harxhi, ftesa e Ramës për denoncim duhej të ishte shoqëruar edhe me amnisti për bizneset e denoncuara, por kjo sipas tij do të krijonte konflikt.

“Në Shqipëri nuk funksionin metoda e ftesës për denoncim qoftë edhe për shpërblim financiar. Kjo masë duhet të ishte shoqëruar edhe me amnisti për rastet konkrete të denoncuara. Nëse do të kishim amnisti për bizneset do kishim rezultat tjetër por kjo do të krijonte konflikt mes të punësuarve”.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra e konsideron të gabuar ftesën e kryeministrit për të denoncuar punën në të zezë, pasi sipas tij ky është një fenomen që nuk luftohet me aksione, por me strategji dhe aspekt rregullator shumë të mirë.

“Ishte një këshillë e gabuar e kryeminsitrit për t’u bërë ftesë për të denoncuar nuk mund të krijosh pakënaqësi siç u krijua dhe me masat për pandeminë. Marrëdhënia punëdhënës- punëmarrës është e shenjtë. Ne kemi një sektor me 20% në GDP, si bujqësia që është informale. Kemi raste sporadike dhe të industrive të tjera Hoteleri-Turizëm, ku për shkak të vetë fizionomisë nxit një farë punësimi që ne e quajmë sezonal, por mund të jetë dhe informal.

Puna në të zezë është fenomen nuk është rast sporadik apo flagrant, që mund të ndiqet përmes aksioneve. Nëse ti ke një fenomen sa i takon informalitetit, nuk luftohet me aksione, por me strategji dhe plan veprimi e aspekt rregullator shumë të mirë”.

Nga ana e tij, ish-zv/ministri i Punës Kastriot Sulka, thotë se thirrja e kryeministrit për denoncim nuk dha fryte për shkak të mungesës së besimit

“Ajo thirrje për spiunim e kryeministrit nuk mund të funksiononte, duke qenë fenomen, ajo duhet bërë me politika. Janë 8 vjet dhe tani do të bëj bilanc. Unë besoj që vullneti i një qeverie në 8 vjet duhet të kishte dhënë produktin e vet. Pse nuk dha fryte se ti e bëre thirrjen kur nuk ke lekë. Është çështje besimi”.

Ndërkohë Haxhi thekson se ekziston një kulturë e dobët fiskale. Sipas tij, adresimi i informalitetit duhet bërë në tërësinë e tij, duke nisur nga deklarimi i shitjeve, që e bllokon pagën informale në burim. Zgjidhjen e këtij problemi ai e sheh te strategjia e aplikimit afatmesëm.

“Bizneset e shohin taksën si të tepërt, që nuk duan ta paguajnë. Ekziston kjo kulturë prandaj jemi në luftë me informalitetin. Nëse do ta adresosh informalitetin do ta bësh në tërësinë e tij, që te deklarimi i shitjeve, atëherë ti e ke bllokuar në burim pagën informale.

Niveli i të ardhurave është 26% më i ulëti se vendet e rajonit që kalojnë mbi 30%, ndërsa informaliteti është 36 % sipas FMN.  Të gjithë qeveritë, strategjitë e politikat fiskale dhe faktori njerëzor kanë bërë të sajën dhe duke ardhur nga një kulturë e dobët fiskale, strategjia e duhur do të ishte ajo e një aplikimi afatmesëm”.

Për Shkodrën rregullat e vendosura nga qeveria nuk e kanë ndihmuar asnjëherë biznesin të fuqizohet. Sipas tij, sipërmarrja reale nuk është ulur asnjëherë në dialog me qeverinë për të hartuar ndryshime, por ka hasur vështirësi në të bërit biznes.

“Ne në treg operojmë me rregulla që vendosen nga qeveria, por që nuk e kanë ndihmuar asnjëherë biznesin që të fuqizohet. Shpesh punëdhënësi has me përcaktime të ngurta për të marrë njerëz në punë. Pasi nuk është ulur asnjëherë në dialog sipërmarrja e vlefshme që të ndërtojnë një herë e mirë ndryshime, duke filluar nga kodi i punës e përcaktime ligjore që të mos hasim vështirësi për të punësuar. Pas 2008-2009-s sipërmarrja është hasur në vështirësi për të bërë biznes, ka një mungesë kulture për të paguar taksa, po kush është ai biznes që ka dëshirë të kapet në shkelje dhe të paguajë gjoba. Nëse bëhet e vështirë të bërit biznes, biznesi do të gjejë shtigje të tjera.

Lista e pozicioneve të punës është ngrirë, ne shkojmë para listës së zyrës së punës e papërditësuar që nuk i përgjigjet elementeve të ekonomisë sot. Biznesi ka qenë në rritje të formalizimit. Pas pandemisë informaliteti është rritur për shkak të lënies vetëm të sipërmarrjes për të përballuar pandeminë dhe ka ulje pagash. Është një ulje e deklaruar më parë. Ulja fiktive në shkallën më të madhe është e drejtë”.

Në të njëjtën linjë edhe Kastriot Sulka shprehet se nga rritja e pagave goditet biznesi dhe për aq kohë sa ti e grushton biznesnin nuk je miqësor me të. Sipas tij, qeveria duhet të marrë në konsideratë trajtimin ekonomik të biznesit.

“Qeveria vendosi të rrisë rrogat dhe nuk pyeti të zotin e punës që të fusë dorën në xhep vetëm biznesi, shteti aspak. Kur ti e trajton biznesin në formë të tillë po e grushton dhe mjel atë, dhe nuk je miqësor me biznesin. Ajo që duhet marrë në konsideratë është trajtimi ekonomik, pjesë e financimit për trajnimin e burimeve njerëzore. Maqedonia ka thithur investime të huaja se ka investuar në formimin profesional”.

Nga ana e tij ish-zv.ministri Haxhi shprehet se duhet strategji totale për informalitetin dhe për këtë duhen rishikuar politikat fiskale

“Duhet strategji totale për informalitetin dhe për këtë duhen rishikuar politikat fiskale duhen hequr shumicat e përjashtimeve dhe tarifave të diferencuara, qoftë të biznesit të vogël e të punësuarit. Jam pro përjashtimit të përkohshëm, por jo 10-vjeçarit për të kaluar fazën e pandemisë. Janë dhe disa propozime të tjera që diskutohen prej një viti në kuadrin e administrimit fiskal”.