“Tradhtar i kohëve moderne”, Jorida Tabaku: Rama po bllokon integrimin

jorida tabaku 1100x620

Partia Demokratike reagoi pas vendimit të mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE, duke akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor për bllokimin e rrugëtimit europian të vendit.

Sipas ish-deputetes demokrate, Jorida Tabaku, kokëfortësia për të rrëzuar institucionet e dialogut demokratik mjaftuan për të bllokuar avancimin e Shqipërisë drejt ëndrrës europiane.

“Hapja e negociatave dhe diskutimi i kapitujve qe do të nisë ditën e parë të konferencës së parë ndërqeveritare po shtyhet jo si pasojë e problemeve të BE, por si pasojë e problemeve të qeverisë shqiptare.

Tradhtia e misionit historik të Shqipërisë për t’u përfshirë në familjen Europiane i mbetet kryeministrit Rama. Refuzimi që i bëri ai marrëveshjes së 5 qershorit dakordësuar dhe firmosur me bekimin dhe ndërmjetësinë e BE-së dhe SHBA është shkaku kryesor për këtë refuzim”, tha Tabaku.

Ajo shtoi se tashmë Edi Rama mund të konsiderohet fare mirë si një tradhtar i misionit historik të Shqipërisë.

“Çdo shqiptar  e ka të qartë se kush është tradhtari i historisë moderne post-komuniste të Shqipërisë. Kryeministri Rama ka treguar nga viti 2014 e këndej se ai ka dashur Europën jo për vlerat e demokracisë dhe lirisë që ajo ofron. Ai e ka dashur BE-në vetëm për t’ia shitur shqiptarëve propagandën manipuluese se anëtarët e BE e mbështesin atë.

Kjo propagandë e rreme u shkërmoq ditën e djeshme kur ministrat e Jashtëm ishin të bindur se asnjë nga 6 parakushtet e BE-së nuk ishin zbatuar nga qeveria Rama”, përfundon ish-deputetja.