Trump urdhëroi tërheqjen e trupave, alarm mes republikanëve: Vendimi, i pajustifikuar

Me vetëm dy muaj të mbetura në detyrë, presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi Pentagonin të tërheqë mijëra trupa nga Iraku dhe Afganistani, duke alarmuar zyrtarë të lartë republikanë. Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Chris Miller, konfirmoi lëvizjen të martën, në ditën e tij të dytë në këtë post. Paraardhësi i tij Mark Esper, i shkarkuar javën e kaluar kishte shkruar një memo të klasifikuar ku pretendonte se kushtet në terren nuk e justifikonin tërheqjen e trupave.

“Deri në 15 janar të 2021-shit, forcat tona në Afganistan dhe Irak do të reduktohen në 2500 trupa”, u shpreh Christopher Miller, Sekretar i Mbrojtjes në Detyrë.

Miller tha se vendimi reflektonte politikën e Trump për t’i çuar drejt një mbyllje të suksesshme luftërat në Irak dhe Afganistan e për të kthyer në shtëpi ushtarët amerikanë. Por, lideri i Senatit, Mitch McConnell, zakonisht mbrojtës i flaktë i Trump, e quajti planin një gabim.

“Është ekstremisht e rëndësishme që gjatë muajve të ardhshëm të mos kemi ndryshime drastike sa i përket politikave të mbrojtjes dhe të jashtme”, u shpreh Mitch McConnell.

Menjëherë pas njoftimit dhjetëra raketa u lëshuan në zonën e gjelbër në Bagdad, pranë ambasadës amerikane. Ky ishte i pari sulm i këtij lloji që kur milicitë irakiane të lidhura me Iranin pranuan të mos e shënjestronin më ambasadën muajin e kaluar. Zyrtari më i lartë republikan në komisionin e shërbimeve të armatosura në dhomën e përfaqësuesve, Mac Thornberry, tha se tërheqja e trupave do të minonte negociata me talebanët për të dhënë fund luftimeve në Afganistan.