Botërori 2022, shorti më 7 dhjetor, Shqipëria rrezikon përballjen me Kosovën

kombetarja ndaj lituanise 1100x620

Me mbylljen e Ligës së Kombeve dhe realizimin e objektivave, nga fitimi i grupit dhe ngjitja në Ligën B, Shqipëria tashmë i ka sytë nga shorti i Kupës së Botës “Katar 2022”. Kuqezinjtë janë në vazon e katërt, pozicionim i cili nuk do të ndryshonte pavarësisht ecurisë në Nations League.

Të vetmet që përfituan nga  turneu i ri i UEFA-s ishin Rumania, e cila u ngjit në vazon e dytë dhe Finlanda, që siguroi vazon e tretë, duke zbritur Bosnjë Hercegovinën në vazon e katërt përkrah kuqezinjve. Nga skuadrat e tjera, me të cilat Shqipëria nuk mund të ndeshet janë Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Izraeli, Bjellorusia, Gjeorgjia dhe Luksemburgu.

Ajo që rrezikohet realisht është përballja me Kosovën, e cila ndodhet në vazon 5. Rregullat e shortit të FIFA-s nuk e përjashtojnë një sfidë të kuqezinjve me Dardanët. Në anën tjetër, rivalët e vështirë nuk mungojnë për Shqipërinë, ku përpos skuadrave më të mëdha në vazon e parë, rivalët janë tejet të vështirë edhe në vazot 2 e 3, ku mes të tjerave rrezikohen sfidat me Greqinë apo Serbinë.

Shorti ku do të përcaktohen rivalët në kualifikueset e Botërorit 2022 do të hidhet më 7 dhjetor në Zyrih të Zvicrës. 55 skuadrat pjesëmarrëse do të ndahen në 10 grupe. Fitueset e secilit grup do të kualifikohen për turneun në Katar, ndërsa tre biletat e tjera për Kupën e Botës do të përcaktohen nga ndeshjet play off, ku 10 ekipeve të vendeve të dyta, u shtohen edhe tre skuadrat më të mira fituese nga Liga e Kombeve.