Energjia diellore, prezantohet projekti për parkun e ri fotovoltaik të Spitallës

Ka nisur këtë të enjte procesi i garës ndërkombëtare për projektin e parkut të ri fotovoltaik të Spitallës, në zonën e ish-kënetës së Durrësit, ku së shpejti do të hapet edhe gara ndërkombëtare për portin e ri të mallrave dhe zonën ekonomike.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se ky është një tjetër investim strategjik në sektorin energjetik shqiptar dhe njëkohësisht një investim madhor për Durrësin.

“Pavarësisht se jemi të detyruar në kushtet shumë specifike në periudhë pandemie, jemi shumë pak këtu, por realisht është një event shumë i rëndësishëm për të nesërmen jo shumë të largët të ekonomisë sonë, të sektorit tonë elektroenergjetik dhe forcimit të imazhit tonë si vend, në një kohë kur e gjithë bota ka një shqetësim të madh me burimet e energjisë. Është një event shumë i rëndësishëm edhe sepse lidhet drejtpërdrejtë me zhvillimin e një zone që ka një gravitet strategjik për turizmin. Përmes këtij procesi, i hapet rruga një tjetër projekti fotovoltaik pas atij të Karavastasë”, tha Rama.