Kina përshëndet studimin në Itali: Rrëzon të gjitha akuzat ndaj nesh për Covid-19

Untitled collage 34 1100x620

Kina deklaron se studimi i fundit në Itali që ka gjetur gjurmë të koronavirusit që shtatorin e vitit të kaluar, rrëzon akuzat ndaj saj se ishte përgjegjëse për përhapjen e pandemisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian nënvizon se studimi tregon se burimi i virusit është ende një çështje shumë komplekse që mund të përfshijë një numër të madh shtetesh.

Por, përfundimet e Lijian rrëzohen nga autori i studimit, Giovanni Apolone, i cili thotë se nga kërkimet e tij Kina nuk përjashtohet.

“Ne e dimë që Kina vonoi njoftimin për shpërthimin e epidemisë kështu që nuk ka asnjë informacion se kur ajo filloi atje”, shprehet Apolone duke sugjeruar që virusi mund të kishte qarkulluar në heshtje në Kinë për më shumë kohë sesa mendohej më parë.

Kjo nuk është hera e parë që Lijian përpiqet të fajësojë vendet e tjera për fillimin e pandemisë, e cila ka infektuar më shumë se 55 milionë persona dhe ka vrarë 1.3 milionë prej tyre.

Ai më parë është shprehur se ishin trupat amerikane ato që e sollën virusin në Kinë përmes ushqimeve të paketuara.

Studimi i Apolone, i kryer në Institutin Kombëtar të Kancerit në Milano, vlerësoi mostrat e gjakut të marra nga pacientët e përfshirë në një studim për kancerin.