Koronavirusi në Shqipëri, Dasho: Shifrat e publikuara jo të vërteta, viktimat janë më shumë

Specialisti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, foli në A2 nga Gjermania mbi situatën e pandemisë në vendin tonë, si dhe me masat e marra deri tani.

Ai u shpreh se masat janë të pabazuara në të dhëna dhe këtu mori shembullin e maskës në publik dhe të ndalimit të lëvizjes pas orës 22:00.

“Unë nuk e kuptoj se pse këto masa janë marrë. Dy masat e fundit, mbajtja e maskës në publik, u prezantua si një masë që do të ndryshonte ecurinë e epidemisë, por situata tashmë është edhe më e rëndë. E dyta, është ndalimi i lëvizjes pas orës 22:00, e cila mund të ketë kuptim vetëm në qendër të Tiranës. Efektet e kësaj mase janë të pakuptimta. Maska duhet në ato mjedise ku nuk mund të ruhet distanca dhe nuk mund të ruhet higjiena. Shumë qytetarë mund të veprojnë gabim, pasi mendojnë se maska mund t’i mbrojë dhe injorojnë mënyrat e tjera parandaluese”, u shpreh specialisti.

Sipas specialistit, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve në Europë dhe drejtuesit tanë, thotë ai, nxjerrin justifikime nga më të ndryshmet për këtë.

Më tej, Erion Dasho hodhi dyshime të forta se numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri mund të jetë shumë herë më i lartë. “INSTAT ka publikuar të dhënat e 3-mujorit të tretë, ku janë 1300 vdekje më shumë se sa ka qenë tendenca e të gjithë viteve të kaluara. Studimet vlerësojnë se çdo tepri vdekjesh, 80% e tyre, me shumë gjasa, është e lidhur me Covid-19. Në këtë rast, më shumë se një mijë janë të lidhur me Covid-in. Flasim për një situatë, e cila është shumë më e rëndë nga ajo që mundohen të paraqesin institucionet”, u shpreh Dasho.

Më tej, ai theksoi se ky raportim dhe numri i ulët i testimeve bëhet për t’u thënë qytetarëve që jemi në një situatë më të mirë se rajoni dhe Europa.

“Nuk e shikoj qëllimin te raportimi, por tek e gjithë situata, në kompleks. Nuk rritet numri i testeve, me qëllim që të mos evidentohen rastet dhe për rrjedhojë as të mos raportohen vdekjet me Covid për të krijuar një imazh gënjeshtër qytetarit. Për t’i thënë qytetarit që ne jemi mirë se fqinjët, më mirë se Europa”.