Ligji i medias, Soreca: Autoritetet, përgjegjëse për krijimin e mjedisit të favorshëm për lirinë e shprehjes

soreca osbe 1100x620

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca i bëri sërish apel autoriteteve shqiptare që të përdorin çdo mundësi për të vazhduar dialogun me aktorët e medias mbi ndryshimet në ligjin e medias për të siguruar një ndikim pozitiv në lirinë e shprehjes.

“Është koha për të ndjekur procesin e konsultimit me komunitetin e medias mbi draftin e ndryshimeve në lidhje me ligjin për median, duke marrë parasysh ekspertizën e aktorëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet një ndikim pozitiv i paketës legjislative mbi lirinë e shprehjes”.

Në Forumin e 6-të Vjetor të Mediave të OSBE-së, Soreca tha se Shqipëria nuk ka bërë përparim në fushën e lirisë së shprehjes, bazuar në raportin e vitit 2020.

“Komisioni raportoi raste të dhunës policore ndaj gazetarëve në kontekstin e demonstratave. Ai bëri thirrje për tolerancë zero ndaj frikësimit, kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve dhe medias, përfshirë në diskursin politik”.

Diplomati europian tha se BE-ja nuk është këtu vetëm për të vlerësuar situatën, por edhe për të mbështetur për lirinë e shprehjes.