“Macron pranon ftesën për të vizituar Kosovën”, Hoti: Folëm për dialogun me Serbinë dhe liberalizmin e vizave

126166516 3842971532430839 5914337718867880299 o 1100x620

Dialogu me Serbinë dhe liberalizmi i vizave, Hoti takim virtual me Macron: Pranoi ftesën për të vizituar Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një konferencë virtuale me presidentin francez Emmanuel Macron. Një një postim në Facebook, kreu i qeverisë kosovare shprehet se ka marrë mbështetje nga presidenti francez për Kosovën, si edhe iu përgjigj pozitivisht ftesës për ta vizituar atë.

Hoti tha se ka biseduar me Macron-in për veprimet e fundit nga Dhomat e Specializuara, dialogun me Serbinë dhe liberalizimin e vizave.

Sipas Hotit, është rënë dakord që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut, sipas formatit të Samitit të Parisit.

“Bashkë me Presidentin Macron biseduam edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke, në kufijtë aktualë.” Po ashtu u dakorduam që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut, sipas formatit të Samitit të Parisit”, shkruan Hoti.

Lidhur me liberalizimin e vizave, Hoti thotë se u dakorduan, që në ditët në vijim, të zhvillohen takime në nivel të  ekspertëve, për t’u pasuar me takimin në nivel politik midis ministrave të Brendshëm të të dyja vendeve.

Postimi i Hotit

Presidenti Macron rikonfirmon mbështetjen për Kosovën dhe vizitën në vendin tonë

Sot zhvillova një video konferencë  (takim virtual) me Presidentin e Republikës së Francës, z. Emmanuel Macron.

Presidenti i Republikës së Francës, z. Emmanuel Macron, fillimisht vlerësoi Kosovën për mbështetjen që i ka dhënë Francës, me rastin e sulmeve të fundit terroriste në Paris.

Ndërkaq, vlerësova lartë kontributin e çmuar që ka dhënë Republika e Francës në mbështetje të shtet ndërtimit dhe forcimit të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.

E njoftova Presidentin Macron me veprimet e fundit nga Dhomat e Specializuara që sollën edhe dorëheqjen e Presidentit Thaçi.

Sigurova Presidentin Macron se, Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim do t’i kryej të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunues konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare. Ndërkohë që partitë politike parlamentare janë të gatshme për të gjetur zgjidhje në përputhje me ligjet dhe kushtetutën.

Presidenti Macron përshëndeti sjelljen me dinjitet, pjekurinë e kulturën e lartë politike të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, pas veprimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara.

Bashkë me Presidentin Macron biseduam edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktualë.

Po ashtu u dakorduam që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut, sipas formatit të Samitit të Parisit.

Lidhur me liberalizimin e vizave u dakorduam  që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të  ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve. Presidenti Macron, ju përgjigj pozitivisht ftesës sonë për vizitë shtetërore në vendin tonë