“Nëse kufizojnë mediat ruse”, Rusia me ligj për bllokimin e Twitter, Facebook dhe Youtube

twitter 1100x620

Parlamenti i Rusisë ka përgatitur një projektligj që parashikon sanksione, deri në bllokim total, të uebsajteve që kufizojnë mediat e vendit.

Lajmi raportohet nga agjencia Interfax. Vendimi për sanksionimin apo bllokimin do të merret nga prokurori i përgjithshëm me konsensusin e Ministrisë së Jashtme.

Ligji mund të aplikohet edhe për rrjete sociale si Twitter, Facebook dhe YouTube, nëse këto kompani kufizojnë qasjen në materiale informuese të mediave ruse.

Autorët e hartimit të projektligjit kanë marrë shembull pikërisht këto rrjete sociale duke theksuar se ishin mes portaleve kryesore që kanë bllokuar mediat ruse gjatë vitit 2020.

Kjo erdhi pas ankesave të shumta të redaksive në Rusi për censurim në internet, kryesisht nga kompani të huaja.