Pas thirrjes së BE, ambasadorët rikthejnë presionin mbi institucionet: Plotësoni Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese mban ende peng karrigen ku Shqipëria duhet të ulet për mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare me Brukselin, për nisjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, nxit institucionet të shfrytëzojnë kohën e presidencës gjermane për kthimin në funksionalitet të Kushtetueses.  

“Në ditët në vijim do të ketë takime të Këshillit – KED – dhe është e rëndësishme që KED të dalë me një listë që do t’u dërgohet dy autoriteteve emëruese, Presidentit të Republikës dhe Parlamentit për emërime. A është e mundur kjo para fundit të vitit? Po, nëse puna përshpejtohet. Dhe ky është mesazhi që unë do të doja t’i dërgoja edhe një herë KED, që po bën një punë të shkëlqyer, e cila gjithashtu mund të kontribuojë më tej për të ecur përpara”, tha Soreca. 

Premtimi është borxh dhe këtë borxh u kujtoi ambasadorja e SHBA-së institucioneve përgjegjëse shqiptare për të ringritur në këmbë Gjykatën Kushtetuese me emergjencë.  

“Është mirë të shohësh progres drejt funksionimit të Kushtetutës deri në fund të këtij viti. 6 javë të mbetura, Presidenca, Parlamenti dhe institucionet e drejtësisë, duhet të vazhdojnë të punojnë me urgjencë. Faleminderit KED për sigurimin e kandidatëve të kualifikuar. Udhëheqësit duhet të përmbushin premtimet për njerëzit e Shqipërisë për drejtësi”, tha Kim. 

Pas “PO”-së së kushtëzuar të marsit për hapjen e negociatave, ende nuk kemi një kornizë të dakordësuar negociuese nga vendet e unionit. Por, Shqipërisë nuk i kërkohet vetëm Gjykata Kushtetuese. Reforma Zgjedhore, që përcakton rregullat e lojës për votimet e 25 prillit, vazhdon të jetë një tjetër tërheqje vëmendjeje nga Gjermania dhe Holanda si kusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Ambasadori Soreca u ndal në dy pika, njëri ka të bëjë me opinionin e Komisionit të Venecias të kërkuar nga Presidenti Ilir Meta, lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor jo konsensual të 5 tetorit. E dyta lidhet me zbatimin e ligjit të zgjedhjeve.

Ndërsa opinioni i Venecias vjen në dhjetor, cilësia e zbatimit të zgjedhjeve do mund të matet vetëm më 25 qershor. Dhe sipas traditës së ndjekur nga BE, çdo vendimmarrje e rëndësishme për zgjerimin merret vetëm pas zgjedhjeve.