Përfundim i TAP dhe Devollit, mungojnë investimet e huaja për t’i zëvendësuar

Fluksi i investimeve të huaja direkte ra në 454 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit, niveli më i ulët i 3 viteve të fundit. Pandemia luajti një rol të madh në tkurrjen e investimeve me kapital të huaj privat, por mbi të gjitha ndikoi përfundimi i dy projekteve madhore të TAP dhe Hidrocentralit të Devollit, që mbajnë prej kohësh peshën kryesore të parave që futen në ekonomi.

Urgjenca për të zëvendësuar këto projekte është shprehur prej kohësh nga ekspertët, teksa qeveria ka dështuar të thithë investime të rëndësishme.

Për momentin, projekti i vetëm që mund të nisë shpejt ndërtimin është ai i parkut diellor të Karavastasë, me vlerë 128 milionë euro, që do të kryhet nga francezët e Voltalia. Ndërsa premtimet e qeverisë për aeroportin e Vlorës, rrugën Milot-Fier apo hidrocentralin e Skavicës janë ende në fazën paraprake, edhe pse për projektin e HEC-it është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qeverinë amerikane dhe kompaninë Bechtel.

Mosnisja në kohë e këtyre investimeve do të bëjë që ekonomia shqiptare të ndjejë mungesën e fluksit të parave të huaja dhe të ketë një impakt negativ në vendet e punës që do të krijoheshin prej tyre.