Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Shembja e Teatrit/ Avokati i Popullit, "dush të ftohtë" policisë

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2020, 20:11 | Aktualitet
Shembja e Teatrit/ Avokati i Popullit, "dush të ftohtë"

Avokati i Popullit ka kritikuar ashpër sjelljen dhe reagimin e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, në 17 maj. Në shkresën me 10 rekomandime drejtuar Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Policisë së Tiranës, AP thekson shkeljen me vetëdije prej tyre të masave anti-covid.

Kjo për faktin se prishja e Teatrit u bë gjatë pandemisë dhe në operacion morën pjesë më shumë se 449 policë. Avokati i Popullit nënvizon se, edhe sot, asnjë prej institucioneve të përfshira në procesin e shembjes nuk ka dhënë ndonjë arsye juridike se përse operacioni u krye në ditët kur vendi ishte nën karantinë të plotë.

Inspektimi i Avokatit të Popullit ka vlerësuar të nxituar dhe të paarsyeshëm përdorimin e spërkatësit djegës, dhunën verbale dhe joetike të punonjësve të policisë si edhe pengimin e gazetarëve gjatë pasqyrimit të ngjarjes.

Duke iu referuar faktit se policia nuk i ka vënë në dispozicion pamjet e saj filmike, me pretendimin se janë sekrete, Avokati i Popullit konkludon një mungesë vullneti të saj për të hedhur dritë mbi rastin. Pas shkeljeve të konstatuara, AP ka rekomanduar fillim të procedimit disiplinor për drejtuesit apo punonjësit e policisë që kanë kryer veprime të paligjshme, si edhe shpejtim të hetimeve të nisura për ngjarjen.

Pas prishjes së godinës, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit iu drejtua SPAK-ut me 9 kallëzime. Të parin në radhë, ata kallëzuan Ministrin e Brendshëm dhe kreun e Policisë së Shtetit për “vrasje me dashje”, mbetur në tentativë dhe “grup kriminal”, me pretendimin se fadromat e IKMT kishin nisur prishjen e godinës ndërsa kishte njerëz brenda.

https://a2news.com/video/shembja-e-teatrit-avokati-i-popullit-kerkon-hetim-disiplinor-per-policine/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani