Vaksina e Oksfordit nxit reagim të fortë imunitar tek të moshuarit

Vaksina e Oksford dhe “AstraZeneca” kundër koronavirusit nxit një reagim të fortë imunitar te 60 dhe 70-vjeçarët, duke shtuar shpresat se ajo do të mbrojë grupin më të rrezikuar nga Covid-19.

Studiuesit thanë për revistën shkencore “The Lancet”, se të dhënat e fazës së dytë eksperimentale, të bazuara tek 560 vullnetarë të shëndetshëm janë inkurajuese. Faza e tretë e testimeve, rezultatet e së cilës pritet të raportohen gjatë javëve në vazhdim, do të tregojë nëse vaksina pengon infektimin me koronavirus në shkallë të gjerë.

Tri vaksina, të Pfizer-BioNTech, Modernës dhe rusja Sputnik, kanë treguar efektshmëri të lartë në fazën e tretë dhe më të rëndësishme të testimit, me atë të Pfizer që sugjeron mbrojtje prej 94 për qind te personat mbi 65 vjeç. Proferori Andrew Pollard, drejtues i studimeve të Oksford tha se nuk ishin në garë më kompanitë e tjera, duke shtuar se nevojiteshin shumë vaksina të suksesshme. Ndërkaq, mjekja Maheshi Ramasamy, hetuese e Oxford Vaccine Group, u shpreh: “Jemi të kënaqur që vaksina jonë, jo vetëm tolerohet nga personat e moshuar, por gjithashtu stimulon një reagim të ngjashëm imunitar me atë të të rinjve. Hapi i radhës do të jetë të shohim nëse kjo do të përkthehet në mbrojtje nga sëmundja.

Dy javë pas dozës së dytë, më shumë se 99 për qind e vullnetarëve nga të gjitha moshat shfaqën reagimin imunitar neutralizues. Reagimi i qelizave T, një tjetër tregues i përgjigjes së mirë të sistemit imunitar, arriti pikun dy javë pas dozës së parë të vaksinës.