Von der Leyen: Vaksinat e para në dhjetor, vendet anëtare që kanë sasi të tepërta do t’ua japin Ballkanit Perëndimor

Presidentja e Komisionit Europian, gjermanja Ursula von der Leyen mbajti sot një konferencë për shtyp ku prezantoi rezultatet e një mbledhjeje me liderët europianë të fokusuar në masat kundër pandemisë dhe në veçanti për çështjen e vaksinave.

Von der Leyen saktësoi që Bashkim Europian ka firmosur 5 kontrata me kompani farmaceutike dhe është në diskutim me dy të tjera si BioNTech dhe Moderna, vaksinë kjo e fundit që është në fazë përfundimtare dhe që ka deklaruar një efikasitet me 95%. Sipas von der Leyen, sasitë e para mund të vijnë drejt vendeve të BE brenda muajt dhjetor, “në qoftë se gjithçka shkon mirë”.

Gjermania sqaroi se kontratat e shumta do të kenë si rezultat një sasi të madhe vaksinash që kanë specifika të ndryshme njëra nga tjera, duke qenë në këtë mënyrë më efikase për komunitete dhe kushte atmosferike specifike.

Von der Leyen dhe Charles Michel, Presidenti i Këshillit Europian që ishte bashkë me të në konferencën për shtyp, nënvizuan që vendet anëtare kanë një dakordësi të plotë për instrumentet e ndihmës të vendeve me të ardhura mesatare dhe të ulëta, në mënyrë që çdo vend të ketë mundësi aksesi te vaksinat.

Në veçanti, kjo do të ndodhë përmes COVAX, të cilit BE i ka dhuruar 800 milionë euro për këtë qëllim, por edhe falë mekanizmave të brendshme të shteteve.

“Në qoftë se vendet anëtare kanë për arsye të ndryshme më shumë doza se sa duhen, ato mund t’ua dhurojnë vendeve si ato të Ballkanit Perëndimor”, ishin fjalët e Von der Leyen.