11% e fëmijëve janë të abuzuar, shoqëria civile kërkon dënime më të ashpra për abuzuesit seksualë

1111 15 1100x620

Edhe pse kemi më shumë denoncime dhe raportime për ngacmime e abuzime seksuale të fëmjëve, shifrat në vendin tonë tregojnë se më pak se gjysma e atyre që abuzojnë me fëmijët janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Kreu i shtetit dënoi edhe reagimin ndaj këtyre rasteve dhe bëri thirrje që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.

Me një fjongo blu ka nisur një maratonë online në qendër të kryeqytetit mes shoqërisë civile, diplomatëve dhe atyre zërave politikë që i bashkohen thirrjes kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Mendoj se duhet të flasim për këtë realitet kudo, në shkolla, jashtë shkollës, në familje dhe mes miqsh. Sepse të flasësh do të thotë të thyesh heshtjen. Është e thjeshtë të themi se duhet të dënojmë abuzuesit, duhet t’u japim atyre dënime maksimale, por mendoj se puna që duhet bërë më parë është parandalimi. Ndaj flisni sa më shumë për këtë çështje. Ky takim në qendër të Tiranës vjen për të nxitur reagimin publik kundër këtij fenomeni”, u shpreh Elsa Hastad, ambasadorja suedeze në Tiranë.