Basha rikonfirmon akuzat, PD sqaron si bëhet manipulimi me shifrat

Të dhënat që kreu i PD, Lulzim Basha, publikoi janë marrë në mënyrë informale nga morgu. Sipas Partisë Demokratike, në statistikat e vdekjeve, zyrtarisht po përfshihen vetëm persona me tampon pozitiv. Pacientët që janë shtruar në spitalet Kovid pas analizave të tjera, dhe kanë humbur jetën aty, nuk figurojnë në këto statistika.

Lulzim Basha këmbëngul në vërtetësinë e akuzave të tij se janë 414 vdekjet me Covid, të fshehura nga qeveria shqiptare. Reagimeve mohuese të komitetit teknik ai iu përgjigj duke postuar në rrjetet sociale deklaratën e bërë në emisionin “Opinon”.

Por pse kjo diferencë mes vdekjeve të pacientëve në spitalet Covid dhe shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë? Shefi i departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazmend Koduzi sqaron se në statistikat zyrtare figurojnë vetëm vdekjet e personave me tampon pozitiv.

Burime nga PD, bëjnë me dije se pavarësisht këtyre thirrjeve të Bashës, nga organi i akuzës, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim apo tentativë për të kontaktuar më të.