Integrimi, Krasniqi: Politikanët preferojnë të kontrollojnë Shqipërinë, jo të jenë nxënës të mirë të Brukselit

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, deklaroi në studion e “Ditari” se “është shumë optimiste për të thënë se pas zgjedhjeve Shqipëria do të ketë progres” në lidhje me konferencën e parë ndërqeveritare për integrimin.

“Muajin e fundit nuk kemi parë asnjë lobing nga shteti shqiptar për integrimin. Ne kemi kërkesë fikse Gjykatën Kushtetuese, por shtete të veçanta kanë edhe kërkesa të tjera. Disa shtete kanë kërkuar progres në raport me arrestimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, të tjera që i kanë kushtuar rëndësi paketës së ligjit për median. Këto elementë kërkojnë zgjidhje institucionale, fakti që në Tiranë nuk u shqetësua askush, tregon që ka një sjellje të re të elitës politike ndaj integrimit. Duket sikur situata i kënaq politikanët për shkak se integrimi nuk sjell më vota dhe duket se palët politike janë të ndërgjegjësuara që shanset e vendit për të kapur ritmet e integrimit janë minimale. Kështu që ata, më shumë preferojnë që të jenë zotër të shtëpisë dhe të kontrollojnë Shqipërinë, sesa të jenë nxënës të mirë të Brukselit dhe të bëjnë reforma për të marrë një datë dhe një vendim pozitiv për vendin”, u shpreh Krasniqi.

Kur u pyet nëse edhe opozitës i intereson të mos jetë nxënës i mirë, Krasniqi nënvizoi se “opozita është jashtë sistemit dhe përveç fjalës nuk ka gjë tjetër”.

“Mund të përdorte disa elemente të kanaleve të saj të komunikimit për ecurinë e reformës, por nuk ka përgjegjësi përsa kohë ka zgjedhur të jetë jashtë sistemit. Përgjegjësia është e mazhorancës sepse ajo qeveris dhe ajo ka premtuar se do t’i realizojë të gjithë kriteret për në dhjetor. Fakti që nuk janë realizuar, do të thotë që dikush duhet të dalë publikisht dhe të pranojë dështimin. Por, tani duket se situata ka ngelur në një lloj pellgu politik, ku nuk lëviz asgjë në drejtimin pozitiv”, theksoi Krasniqi.

Në lidhje me historinë e Krushës, Krasniqi deklaroi se ajo është “një nga zhvillimet më qesharake të tranzicionit”.

“Bëhet fjalë për një ngjarje nga më dramatiket në Kosovë dhe në vend që shteti shqiptar të investohet për të dërguar këtë mesazh në kancelaritë e duhura dhe në Gjykatën e Hagës, në mënyrë absurde ky debat kthehet në ping-pong politik në Tiranë që nuk ka as bosht, as qëllime dhe as rezultat. Në vend që ta ndihmonim Kosovën, ne e kemi përçarë atë. Kemi detyruar aktorët politikë në Kosovë të mos investohen te Haga, por në Tiranë. Së dyti, nuk e ndihmojmë Kosovën duke zbardhur të vërtetën e Krushës dhe të krimeve serbe në Kosovë, as nuk po kërkojmë t’i zbardhim ato. Ne po sulmojmë njëri-tjetrin në funksion të fushatës elektorale, me një gjuhë të papranueshme në politikë. Gjithçka në Shqipëri bëhet për vota dhe për të denigruar kundërshtarin politik. Kur nuk qeveris dot, kur nuk ofron dot shanse për zhvillimin e vendit, gjëja më e mirë është që të mbledhësh një grup të rinjsh, të prodhosh kaseta, të krijosh lajme, t’i shpërndash në rrjetet sociale, urdhëro militantët për t’i bërë “share” këto lajme dhe krijo një “fluskë sapuni” që shuhet për një javë, por i sjell dëm vendit dhe humbet shumë kohë. Shqipëria ka shumë gjëra më prioritare me të cilat duhet të merrej në këto momente”, shpjegoi analisti i A2.

Sa i përket situatës me pandeminë dhe akuzave të opozitës për fshehje të numrit të viktimave, Krasniqi tha: “Është një shembull që tregon se si funksionon shteti shqiptar. Nuk përgjigjen institucionet që duhet, por përzihen aktorët e tjerë. Nga deklaratat kupton që gjërat nuk po shkojnë mirë, por se çfarë po ndodh, askush nuk e di. Edhe në SHBA janë sulmuar ekspertët e shëndetësisë nga Presidenti, por nuk ka pasur kundërpërgjigje të tyre. Në Shqipëri kontrollohen nga partia në pushtet të gjitha institucionet publike, ndërsa opozita bie viktimë e lajmeve të ditës dhe kërkon lajm aty ku nuk ka lajm”.

Në fund, Krasniqi komentoi edhe vendimet e fundit të SPAK-ut: “Drejtësia e re është jashtëzakonisht e brishtë. Janë 10 vendime simbolike deri tani. Fakti që nuk po arrijnë dot te kokat e korrupsionit është mesazh dëshpërues. Shohim ambasadorë perëndimorë që kërkojnë hetim dosjesh dhe SPAK nuk ka sjellë pothuajse asgjë. SPAK-u vetë, pa BKH, do ta ketë të vështirë hetimin e detajeve të dosjeve dhe nga ana tjetër, shumica e bazës furnizuese në Shqipëri janë institucionet shtetërore që nuk janë në dorën e SPAK. Unë shpresoj shumë që të jetë rasti i fundit që SPAK dënon njerëz për ryshfet policisë. Shqipëria ka pafund zyrtarë të lartë që janë lehtësisht të verifikueshëm për skandalet e tyre dhe për akuzat e partnerëve ndërkombëtarë”.