Koronavirusi i merr jetën aktorit Fatmir Xhelili

aktori 1100x620

Aktori i njohur i teatrit dhe estradës së Fierit, Fatmir Xhelili, ka humbur sot jetën si pasojë e koronavirusit. Prej disa ditësh, gjendja e aktorit ishte rënduar, ndërsa nuk mundi të fitonte betejën me Covid-19. Xhelili ishte shtruar në spitalin Infektiv prej disa ditësh, por në moshën 69-vjeçare, humb këtë betejë dhe ndahet nga jeta.

Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me katër çmime të para si aktori më i mirë.

Fillimet e punës së tij si aktor ishin të vështira pasi Xhelili punonte si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër. Fatmiri e ka nisur rrugën e artit si aktor amator, por për 46 vjet rresht, ai shënon në karrierën e tij interpretime përkah emrave të mëdhenj si Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj.

Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj.  Ai ka luajtur edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”.

Lajmin e hidhur të ndarjes së tij nga jeta e ka dhënë zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Të dashur miqtë e mi, me lot burri në sy ju njoftoj se një nga simbolet e artit dhe kulturës fierake, miku im dhe i të gjithëve, vëllai i Mirës, shoqes time të klasës, vëllai i Met Xhelilit shokut tim të 8-vjeçares, aktori i madh i teatrit dhe estradës së Fierit tonë, Fatmir Xhelili, humbi jetën sot për shkak të këtij Covidi të mallkuar dhe një patologjie tjetër të mëparshme! Është një dhimbje shpirti dhe një vuajtje e vërtetë kur qytetit tonë i shuhen njerëz si Fatmiri që i kanë dhënë ndër vite gaz e kuptimplotshmëri jetës sonë, shpirtit dhe zemrës së qytetit!”, shkruan Koçi.