Mbyllja e Kapshticës, nuk lejohen as kamionët të kalojnë. Policia: Masat deri më 4 dhjetor

Krijohen radhë të gjata të kamionëve të mallrave në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës pas vendimit të autoriteteve greke për të mbyllur kalimin në të .

Kamionistet ankohen se nuk ishin lajmëruar se ata nuk do të lejoheshin, duke treguar se ata janë lejuar gjithmonë të punojnë në çdo kohë edhe gjatë pikut të pandemisë në muajt mars apo prill.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se Qeveria greke ka njoftuar në lidhje me kufizimet e hyrjes në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë.

Në lidhje me kufijtë e tjerë veriorë të vendit, do të mbeten të hapura pikat kufitare në Evzonoi dhe Promachona, ndërsa në Nimfea do të hyjnë vetëm kamionat.

Më tej, qytetarët që hyjnë në Greqi, përveç paraqitjes së testit negativ PCR të kryer deri në 72 orë më parë, do të kryejnë edhe rapid test nga Njësi të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile dhe Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë. Personat që rezultojnë negativë, mund të hyjnë në vend dhe të shkojnë në destinacionin e tyre, në bazë të dokumentit PLF që do dorëzojnë.

Ky vendim vlen vetëm për kufijtë tokësorë, të lartpërmendur, ndërkohë që kufijtë ajrore mbeten të hapur.

Ndërkohë që për situatën në Kapshticë ka reaguar dhe stacioni i policisë në këtë pikë që sqaron se në zbatim të vendimit të qeverisë greke për marrjen e masave, mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020, Pika e Kalimit Kufitar do të jetë e bllokuar për të gjitha mjetet.

Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.

Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës.