Meta takon ministrin italian Di Maio: Italia kontribut gjatë tërmetit dhe pandemisë

meta di maio 1100x620

Pas takimit me kryeministrin Rama, ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Luigi Di Maio është pritur nga Presidenti Ilir Meta.

Kreu i Shtetit vlerësoi ndihmën e menjëhershme të Italisë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe kontributin për përballimin e pasojave për rindërtimin e zonave të prekura dhe rehabilitimin e tyre.

Ai e falënderoi për dërgimin në Shqipëri të specialistëve italianë në përballimin e situatës së COVID-19 dhe vlerësoi dërgimin e infermierëve  shqiptarë në Itali në situatën e saj më të rëndë të pandemisë.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.

“Ne vlerësojmë rolin proaktiv të Italisë në mbështetjen e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për të përmirësuar integrimin e vendit tonë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi në Bashkimin Europian. Shqipëria ka përpara saj përmbushje të domosdoshme të kushteve të funksionimit të shtetit demokratik: zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, liria e medias, etj.”

Kreu i shtetit kërkoi një prani më të madhe të investitorëve seriozë italianë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke qenë se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë.

Një urë e fuqishme bashkëpunimi mes dy vendeve sipas Presidentit Meta, janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali. Ndaj inkurajoj rritjen bashkërisht të përpjekjeve për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj”.