Puna nga shtëpia, Mançe: Do të krijojë vështirësi me shërbimet publike

Kalimi i punës së nëpunësve shtetërorë në shtëpi do të krijojë vështirësi në ofrimin e shërbimeve publike. Për Ervis Mançen, ish-drejtues në administratën publike, sot një pjesë e madhe e bizneseve dhe qytetarëve varen nga këto shërbime fizike.

Megjithatë, Mançe beson në një tranzicion të shpejtë drejt online-it. “Ekonomia reale, sipërmarrësit dhe qytetaret, i kanë jetike këto shërbime. Do ketë vështirësi, por duhet thënë se administrata shqiptare përherë ka një qasje radikale ndaj fenomeneve radikale, dhe do të përshtatet shumë shpejt. Do ketë një proces përshtatje të popullatës në kulturën e marrjes së shërbimeve online, edhe nga bizneset”, thotë ai.  

Ervis Mançe

Paralelisht me administratën, nga shtëpia po punojnë një pjesë e madhe e punonjësve në privat, veçanërisht në kompanitë e mëdha. Këta punonjës rrjedhimisht kanë më pak shpenzime për karburant apo ushqim dhe pije. Për këtë arsye, institucione si Deutsche Bank kanë propozuar taksimin e përkohshëm me 5% për këtë lloj pune. Sipas Mançes, një ide e tillë është e zbatueshme edhe në Shqipëri.

Të ardhura nga taksimi i punës në shtëpi, do të ishin të destinuara për të financuar mbështetjen e shtresave në nevojë dhe politikat për nxitjen e punësimit.