Basha: Shqiptarët prisnin nga Rama përgjigje dhe jo sulme politike, të pranojë hetimin

Screenshot 4 4 1100x620

Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, që akuzoi opozitën për mashtrim për sa i përket çështjes të viktimave nga pandemia, ku opozita pretendon se numrat e të vdekurve real po fshihen nga qeveria.

“Shqiptarët prisnin sot përgjigje. Por Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë. Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën”, deklaroi Basha në një mesazh video.

Rama akuzoi opozitën se po vë në rrezik mjekët, por Basha specifikoi se “mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë. Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata”.

“Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19”, ishte ftesa e Bashës për kryeministrin Rama.