LSI voton për delegatët, anëtarësia do të zgjedhë edhe kryetaren pa konkurrentë

Mb Zgjedhjet e LSI frame 71 1100x620

Lëvizja Socialiste për Integrim ka filluar që herët në mëngjes një proces votimi në të gjithë bazën e saj për të bërë gati infrastrukturën për Konventën Kombëtare të 5 dhjetorit. Në këtë votim do të zgjidhen delegatët që do të marrin pjesë në këtë Konvente, por gjithashtu do të votohet edhe për kryetarin.

Nuk ka asnjë kandidat përveç kryetares aktuale Monika Kryemadhi, por kjo nuk e pengon që si proces të votohet edhe pse me një kandidat. LSI si forcë politike përmes retorikës së kryetares e ka sfiduar deri diku virusin dhe masat ndaj tij, por duket se këtë të shtunë gjatë votimit është ruajtur distancë.

LSI-ja sipas drejtuesve të saj ka futur edhe një aplikacion që votimi të kryhet edhe online. Konventa e 5 dhjetorit përmes këtyre delegatëve të votuar sot do të bëjë dhe strategjinë për zgjedhjet e 25 prillit. Në fund të procesit të votimit pritet që kryetarja Kryemadhi të mbajë një fjalim.