“Prokuroria dhe SPAK të nisë urgjentisht hetimet”, PD: Fshehja e vdekjeve, kriminale

spahia 1100x620

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot denoncimet për fshehjen e numrit të vdekjeve nga koronavirusi në vendin tonë. Në një deklaratë për mediat Bardh Spahia, thotë se Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që nga denoncimi i kryetarit të PD-së.

“Që nga dita e enjte, kur kryetari i Partisë Demokratike denoncoi në emisionin Opinion shifrat e vërteta të vdekjeve nga COVID, Prokuroria nuk ka njoftuar asnjë veprim nga ana e saj.

Numri i vdekjeve nga COVID, sipas dokumentacionit që bëri publik z. Basha është shumë më i lartë se ai i bërë publik nga qeveria në komunikatat e përditshme”.

Sipas tij fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet. Ai i bëri thirrje Prokurorisë dhe SPAK, që të nisë urgjentisht hetimet.

“Qytetarët presin nga prokuroria të mos heshtë. Heshtja 48 orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën.

I bëjmë thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe SPAK që të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave, por të nisin urgjentisht hetimin.

Kjo është e vetmja mënyrë që e vërteta të mos fshihet, të bëhet publike për qytetarët dhe përgjegjësit të japin llogari përpara ligjit.

Është e turpshme përpjekja e Edi Ramës për t’ju shmangur përgjegjësisë për dështimin katastrofik me pandeminë, si dhe për t’u fshehur pas punës heroike të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë”.

Duke vlerësuar punën e mjekëve gjatë pandemisë, Spahia thekson se Partia Demokratike dënon përpjekjet e Edi Ramës për të keqpërdorur politikisht kontributin e tyre të jashtëzakonshëm me qëllimin e ulët të fshehjes së të vërtetës për dështimin.