Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

SHBA, fjalimet e humbjes në 30 vjet

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2020, 11:29 | Bota
SHBA, fjalimet e humbjes në 30 vjet

Refuzimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të pranuar humbjen dhe akuzat për manipulim të zgjedhjeve kumbuan rëndë në Amerikën e pamësuar me situtata të tilla, ku historikisht transferimi i pushtetit ka ardhur i patrazuar.

Reagimi i Donald Trump ndaj rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit është në kontrast të fortë me retorikën e kandidatëve të mëhershëm, të cilët dështuan në sigurimin e votave të nevojshme të Kolegjit Zgjedhor përgjatë 30 viteve të fundit. Bujaria, hijeshia, uniteti dhe pranimi kanë spikatur gjatë fjalimeve të kandidatëve të mundur në garën për Shtëpinë e Bardhë në 3 dekada të historisë amerikane.

Në vitin 1992, pasi humbi përballë Bill Clinton, George Bush i vjetri u kërkoi amerikanëve që të linin mënjanë dallimet e fushatës, duke mbështetur Presidentin e ri: “Kjo është mënyra se si e shoh unë e si duhet ta shohë i gjithë vendi. Qytetarët folën dhe ne respektojmë atë që thotë shumica në sistemin demokratik. Sapo e telefonova guvernatorin Clinton për t’i ofruar përgëzimet e mia. Ai drejtoi një fushatë të fortë. I uroj gjithë të mirat në Shtëpinë e Bardhë dhe dua që i gjithë vendi ta dijë se administrata jonë do të punojë ngushtë me ekipin e tij për të siguruar një transferim të qetë pushteti. Amerika duhet të jetë gjithmonë e para dhe prandaj ne e mbështesim Presidentin e ri dhe i urojmë atij punë të mbarë”.  

4 vite më vonë, senatori Bob Dole kritikoi mbështetësit e tij pasi fishkëllyen në shenjë mosaprovimi ndaj fitores së dytë të Clinton, duke i thënë atyre se ky i fundit ishte kundështar, por jo armiku i tij: “Fola me Presidentin Clinton. Zhvilluam një takim të mirë. E përgëzova atë dhe i thashë… (nisin vërshëllimat) Jo, mos bëni kështu. E kam thënë shpesh gjatë kësaj fushate se Presidenti është kundërshtari, por jo armiku im. Unë i uroj gjithë të mirat dhe zotohem ta mbështes për kauzën e një Amerike më të mirë. Kjo është edhe arsyeja pse bëhet e gjitha kjo. Për një Amerikë më të mirë, ndërsa hyjmë në shekullin e ri”.  

Zgjedhjet e vitit 2000 mes Al Gore dhe George Ë Bush do të mbahen mend gjatë për betejën gjyqësore në Gjykatën e Lartë lidhur me rezultatet në Florida. Në fjalimin e tij të humbjes, i cili erdhi disa javë pas ditës së zgjedhjeve, Gore i tha vendit se nuk ishte dakord me vendimin e gjykatës, por se për hir të unitetit, qytetarëve dhe demokracisë së vendit, e pranonte rezultatin: “Mirëmbrëma. Vetëm pak çaste më parë bisedova me George W Bush dhe e urova që u bë presidenti i 43 i Shteteve të bashkuara. I premtova që nuk do ta marr më në telefon dhe u ofrova ta takoj sa më shpejt të jetë e mundur për të sheshuar ndasitë që u shfaqën gjatë fushatës dhe garës të cilën sapo e mbyllëm. Tani që Gjykata e Lartë foli, nuk ka më dyshime. Edhe pse jam totalisht kundër vendimit, e pranoj atë. Sot, për hir të unitetit tonë si popull dhe për forcimin e demokracisë sonë, unë e pranoj humbjen”. 

Zgjedhjet e vitit 2004 u fituan nga George W Bush me vetëm 35 vota elektorale më shumë, dhe kundërshtari John Kerry vendosi të pranojë humbjen pa asnjë kontestim: “Sot fola me Presidentin Bush dhe i përcolla përgëzimet e mia atij dhe Laurës. Patëm një bisedë të mirë. Folëm për rrezikun e përçarjeve në vendin tonë, nevojën e dëshpëruar për unitet, për gjetjen e pikave të përbashkëta e për bashkimin. Sot, shpresoj se mund të nisim shërimin. Në Amerikë është jetësore që çdo votë të numërohet. Por, rezultati duhet vendosur nga votuesit, jo nga një proces i zgjatur gjyqësor. Nuk do të kisha hequr dorë nga kjo betejë nëse do të kishte ndonjë shans për të fituar. Nuk do të ketë vota mjaftueshëm që të fitojmë Ohajon dhe rrjedhimisht zgjedhjet”. 

Në 2008, senatori John McCain u përball me disfatën në zgjedhjet historike që e bënë Barak Obamën Presidentin e parë afromerikan në Shtetet e Bashkuara. Në fjalimin e tij, McCain pranoi rëndësinë e veçantë që kishte fitorja e Obamës për komunitetin me ngjyrë, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të tij të punojnë me Presidentin e ri për hir të unitetit: “Pak minuta më parë, pata nderin të telefonoj senatorin Barak Obama për ta uruar. (vërshëllima mes mbështetësve) Ju lutem… Për ta uruar që do të jetë Presidenti i ri i vendit që të gjithë e duam. Në një garë të gjatë e të vështirë, suksesi i tij imponon respekt, për aftësinë dhe këmbënguljen. Fakti që e bëri këtë duke frymëzuar shpresat e miliona amerikanëve, të cilët dikur besonin se kishin pak ndikim në zgjedhjen e një Presidenti amerikan, është diçka të cilën e admiroj thellësisht dhe e përgëzoj atë për arritjen. Këto ishin zgjedhje historike dhe unë e pranoj rëndësinë e veçantë që kishin për afroamerikanët dhe për krenarinë që duhet të ndjejnë ata sot. U bëj thirrje amerikanëve që më mbështetën, të më bashkohen sot jo vetëm në urimin për të, por në ofrimin e vullnetit të mirë dhe përpjekjeve për të gjetur rrugët e përbashkëta me Presidentin e ri. Për të gjetur kompromiset e nevojshme e për të sheshuar dallimet, për rikthimin e prosperitetit të vendit, për garantimin e sigurisë sonë në një botë të rrezikshme e për t’u lënë fëmijëve dhe nipërve tanë një vend më të mirë nga ai që trashëguam ne”. 

4 vite më vonë, Mitt Romney u detyrua të mbante një fjalim të ngjashëm pas mundjes nga Barak Obama: “Sapo e telefonova Presidentin Barak Obama për ta uruar për fitoren. Mbështetësit e tij dhe të kësaj fushate meritojnë gjithashtu përgëzime. I uroj çdo të mirë Presidentit, Zonjës së Parë dhe vajzave të tyre. Është kohë sfidash të mëdha për Amerikën dhe unë lutem që Presidenti të jetë i suksesshëm në udhëheqjen e vendit tonë”. 

Në 2016, disfata e Hillary Clinton tronditi mbarë vendin, përfshirë vetë Clinton, e cila mbajti një fjalim emocionues një ditë më vonë. Ajo pranoi me sinqeritet natyrën e dhimbshme të humbjes siç e cilësoi, por u bëri thirrje mbështetësve të punojnë përbashkimin për hir të Shteteve të Bashkuara: “Mbrëmë e urova Donald Trumpin dhe i ofrova bashkëpunim në emër të vendit tonë. Shpresoj se do të jetë një President i suksesshëm për të gjithë amerikanët. Nuk është rezultati që deshëm, e për të cilin punuam fort, dhe më vjen keq që nuk i fituam këto zgjedhje për vlerat që ndajmë në vizionin për vendin tonë. E di sa të zhgënjyer ndjeheni, pasi edhe unë ndihem njësoj, po ashtu miliona amerikanë që investuan shpresat e tyre në këtë përpjekje. Është e dhimbshme dhe do të jetë për një kohë të gjatë, por unë dua që të mos harroni se fushata jonë nuk ishte kurrë vetëm për një person, apo për një pale zgjedhje. Ishte për vendin që ne e duam shumë dhe për të ndërtuar një Amerikë gjithëpërfshirëse dhe zemërgjerë. Kemi parë se vendi ynë është më i përçarë se kurrë, por unë ende besoj tek Amerika e gjithmonë do ta bëj. Dhe nëse edhe ju besoni, duhet të pranoni rezultatin e të shihni drejt së ardhmes”. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë