Vuçiçit i refuzohet leja për të vizituar Kosovën

VUCIC TAKIMI frame 548 1100x620

Presidentit serb i refuzohet kërkesa për të vizituar sot Kosovën. Sikurse bëjnë me dije mediat në Kosovë, stafi i presidentit Vuçiç i ka dërguar institucioneve të Kosovës, një kërkesë zyrtare për të realizuar një vizitë atje.

Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konfirmuar kërkesën e zyrës së presidentit serb, por thotë se nuk do t’ja japë lejen për të vizituar Republikën e Kosovës. Bashkë me Vuçiç, pritej që në Kosovë të mbërrinte edhe ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin, ish-shefi i zyrës për Kosovën Marku Gjuric dhe shefi aktual i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Kjo vizitë e papritur e presidentit serb në Kosovë vjen pas deklaratave, ku ai e krahasonte marrëdhënien mes shtetit të tij dhe atij kosovar të ngjashëm me situatën në Nagorno-Karabak. Kjo deklaratë nxiti një varg reagimesh të cilësuara si ekstreme dhe luftënxitëse, duke bërë të deklaroheshin edhe disa institucione ndërkombëtare si NATO-ja dhe ndonjë zyrë e Bashkimit Evropian.

Po kështu një kërkesë e tillë e kreut të Serbisë për vizitë në Kosovë vjen pas gjetjes së një varreze masive në Serbi, ku dyshohet se janë trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit në luftën e fundit.