Koronavirusi i merr jetën ish-zv/kryeministrit Bashkim Kopliku

Untitled collage 47 1100x620

Ndërron jetë në moshën 77 vjeçare ish-zëvendës Kryeministri i parë i pluralizmit në vendin tonë, Bashkim Kopliku.

Burime për A2 bëjnë me dije se Kopliku prej disa ditësh ishte i shtruar në spital i infektuar nga Covid, ndërsa mbrëmjen e kaluar ka humbur jetën si pasojë e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Jetëshkrim:

Bashkim Kopliku u lind më 15 korrik 1943 në Shkodër. Më 1962 – 1966 ndoqi Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Tiranës. Më 1966 – 1969 punoi si inxhinier elektronik në qendrën radiomarrëse të Kamzës, Tiranë. Më 1969 – 1970 u zhvendos nga Tirana në Shkodër për arsye politike.

Ka qenë zëvendëskryeministër i Shqipërisë në periudhën 1992-95, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në 1991-97, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë në 1996-97, anëtar i kryesisë së PDSH në 1991-97, i dekoruar me “Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë”, nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 1993, kryetar i Bashkisë Durrës (Komiteti Ekzekutiv Pluralist Durrës) në 1991-92, kryeinxhinier i URT Durrës në 1990, ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në fushën e elektronikës.

Krahas posteve dhe kontributit të padiskutueshëm, Bashkim Kopliku nuk do t’i shpëtonte dënimit të regjimit si punëtor për qëndrime “të gabuara” politike në 1975-76.

Ish-kryeinxhinieri i URT-së së famshme u largua nga Partia Demokratike në vitin 1997, për të mos u angazhuar më në politikë, por duke qenë një qytetar mjaft aktiv në median e shkruar dhe vizive.