Shtetrrethim në Kaliforni, shifra rekord të infektimeve dhe vdekjeve në SHBA

I ashtuquajturi shteti i artë, humbi një pjesë të shkëlqimit të tij ndërsa të shtunën hyri në fuqi masa e ndalim qarkullimit gjatë natës.

Kalifornia po regjistron shifra edhe më të larta se në muajin gusht, kur arriti pikun e valës së parë dhe javën e kaluar i tejkaloi 1 milion rastet duke u bërë shteti i dytë amerikan pas Teksasit më kaq shumë infektime.

Sipas autoriteteve shtetrrethimi nga ora 22 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit do të zgjasë deri në 21 dhjetor, e do të shtyhet më tej nëse do të jetë e nevojshme. 41 nga 58 kontetë e Kalifornisë, apo 94 përqind e popullsisë preken nga urdhëri i qëndrimit në shtëpi.

Ndërkaq rreth Shteteve të Bashkuara bilanci i viktimave ditore nga koronavirusi i tejkaloi 2 mijë, për herë të parë që prej muajit maj. Vendi ka më shumë se 12 milionë infektime të konfirmuara dhe numëron mbi 255 mijë humbje jetësh, më shumë se kudo tjetër në botë.

Rreth 187 mijë infektime të reja u regjistruan në mbarë vendin në 24 orët e fundit, shifra më e lartë që prej shpërthimit të pandemisë. Një sërë shtetesh kanë ndërmarrë masa e kufizime të reja për të luftuar përhapjen rekord, dhe në Teksas, garda kombëtare po dërgohet në qytetin e El Pasos për të ndihmuar me operacionet në morgun atje.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve iu kërkoi amerikanëve të shmangin lëvizjet për festën e falenderimeve në 26 nëntor, kur edhe shënohet periudha më me shumë trafik sa ipërket udhëtimeve.

Vitin e kaluar 26 milion njerëz kaluan nëpër aeroportet e vendit në ditë para e pasfestës.