Ata nuk i shkelin “kurrë” rregullat…

Në kohën që po jetojmë, me numrat gjithnjë e më në rritje të viktimave dhe të të infektuarve nga Covid-19, e me masat shtrënguese që vijnë gjithmonë duke u ashpërsuar në të gjithë botën, situata e mëposhtme mund të tingëllojë deri diku qesharake.

Tim Porteus dhe Sheila McWhirter, janë miq prej 30 vitesh dhe jetojnë në zonat fqinje të East Lothian dhe Edinburg të Skocisë.

Për të mos lejuar që tradita e takimeve të tyre shumëvjeçare të ndërpriten, por njëkohësisht për të zbatuar masat shtrënguese të vendosura në kuadër të koronavirusit, ata kanë gjetur një mënyrë tejet të veçantë takimi.

Dy zonat skoceze të Tim, 58 vjeç dhe Sheila-s, 57 vjeç, janë aktualisht në nivelin 3 të kufizimeve të qeverisë Skoceze. Ky nivel i rrezikshmërisë, në këtë shtet, parashikon ndalimin e lëvizjeve nga njëra zonë në tjetrën. Për këtë arsye, ata, për ta respektuar këtë rregull, në vend që të kalonin kufirin, menduan të vendosnin nga një karrige në skajet e zonave të tyre përkatëse duke ndarë me njëri-tjetrin bisedat e përditshme, nën shoqërimin e një filxhani çaji.

Gjatë takimeve, ata sigurohen gjithsesi, që të mbajnë distancën prej dy metrash.