Mjekja Jonida Diko: Mos u trajtoni me receta të rrjeteve sociale, drejtohuni te mjeku i familjes

Mjeku i familjes do të vlerësojë stadin e sëmundjes Covid-19 dhe paketën e rimbursimit. Mjekja e familjes, Jonida Diko, e ftuar në “Dita jonë” shpjegoi sesi qytetarët do të përfitojnë paketën e rimbursimit të Covid-19.

“Mjeku i familjes ndjek dy forma; të lehtën dhe të mesmen. Forma e lehtë  trajtohet me vitamina zink e paracetamol. Forma e mesme trajtohet me vitaminoterapi, me paracetamol dhe antibiotik. Do të përfitojnë të gjithë ata individë të përcaktuar nga shteti dhe do të vlerësohen nga mjeku i familjes sipas stadit që kanë. Paketa është 100% e rimbursueshme.

Ju bëj thirrje qytetarëve që të drejtohen te mjeku i familjes dhe ai do vlerësojë stadin e sëmundjes dhe paketës së rimbursimit”.

Mjekja Diko u bëri thirrje qytetarëve të prekur nga Covid-19 që të mos trajtohen me receta që kanë përdorur të afërmit, apo ato që qarkullojnë në rrjete sociale, por t’i drejtohen vetëm mjekut të familjes. Ajo pranon vonesat e tamponëve, por shprehet se mjeku ekzaminon simptomat.

“Në momentin që pacienti ka simptoma dhe mjeku vlerëson që janë Covid, tamponi është ekzaminim shtesë, por ne ekzaminojmë simptomat dhe ai trajtohet prej 14 ditësh.

Asnjë pacient nuk duhet të trajtohet me receta që kanë kaluar të afërmit apo që qarkullojnë në rrjete sociale. Ata që nuk janë të njohur t’i drejtohen mjekut të familjes dhe t’i shprehin të gjitha shenjat”.

Mjekja theksoi se që nga marsi është vështirësuar puna e mjekut të familjes, për shkak të fluksit të pacientëve. Në Qendrën Shëndetësore numër 10 në kryeqytet, sipas saj, një mjek familje ndjek 40-50 pacientë në ditë që presin për t’u tamponuar, ndërsa janë 180 pacientë aktivë me koronavirus.