Pampuri: Mjekët po përdoren në mënyrë të shëmtuar nga Rama

Marrëdhënia konfliktuale midis qeverisë dhe opozitës është më se normale, madje mund të përkthehet edhe si e shëndetshme për demokracinë. 9 muaj në pandemi, opozita ka shumë rezerva për mënyrën se si qeveria po e lufton përhapjen e virusit. Për të diskutuar në lidhje me këtë temë ishte e ftuar në A2 ish-deputetja e PD, Oriola Pampuri.

Pampuri u shpreh se prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet në lidhje me numrin e vdekjeve për shkak të pandemisë, pasi pak ditë më parë Basha publikoi një listë, e cila sipas tij, nuk korrespondon me numrin e vdekjeve të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ajo që Basha deklaroi para pak ditësh ishte një akuzë shumë e rëndë, por nuk u mor asnjë masë që të shkonte prokurori. Ne kemi kërkuar hetim. Deri tani nuk ka shkuar askush të hetojë shifrat që u bënë publike. Ne kemi kërkuar rritje të numrit të testimeve dhe kërkesa të tjera, por nuk është bërë asgjë. Kjo është arsyeja që jemi përballë një fakti të tillë, ku qeveria tenton të fshehë shifrat e personave që humbin jetën, vetëm për të treguar se situata është në kontroll, por vetëm nën kontroll nuk po e mban situatën kjo qeveri. I bëj thirrje prokurorisë, të nisë sa më shpejt hetimet.

Më tej, Pampuri u shpreh se kryeministri po përdor mjekët për politikë. “Kemi qenë krah mjekëve dhe Edi Rama po i përdor në mënyrën më të shëmtuar, po i përdor për lojën e tij politike”, u shpreh Pampuri.