Pas 9 muajsh në pandemi, porti i Vlorës në situatë të vështirë ekonomike

Porti i Vlorës po kalon një nga situatat me të vështira ekonomike që ka njohur ndonjëherë. Izolimi dhe kushtet e vendosura për shkak të pandemisë globale, ka bërë që ky port të rrezikojë seriozisht shkurtimin e vendeve të punës dhe pamundësi për të likuiduar pagat, duke qenë që është një shoqëri anonime me vetëfinancim.

“Të ardhurat tona ishin me 70%, jemi një port turistik, ku të ardhurat vijnë pikërisht nga ajo fushë, që këtë vit e dimë si ka shkuar”, thotë për A2 Festim Skëndaj, shef i përpunimit në portin e Vlorës.  

Festim Skëndaj, shef i përpunimit në portin e Vlorës

E vetmja shpresë e momentit janë përpunimi i mallrave dhe kamionëve dhe në këtë pikë, duket se të ardhurat janë të kënaqshme duke qenë që edhe disa firma nga Maqedonia e Veriut kanë zgjedhur portin e Vlorës për të sjellë mallrat e tyre.

“Në qoftë se me pasagjerët patëm ulje të madhe, kemi rritje për sa i përket përpunimit të mallrave. Disa kompani maqedonase madje vijojnë të përdorin portin për përpunimin”, vijon Skëndaj.

Në gusht, portit të Vlorës iu akordua shuma prej 50 milionë lekësh të reja si formë ndihme nga ana e Portit të Durrësit për të përballuar vijimin e kontratave të punës për punonjësit.