Po kalonte pleqërinë në Tenesi, 94-vjeçari ish-roje e një kampi nazist do të deportohet në Gjermani

Bënte një jetë normale, në Tenesi të Shteteve të Bashkuara, por në të kaluarën kishte shërbyer si roje e një kampi përqendrimi nazist. Tani, 94-vjeçari do të duhet të përballet me drejtësinë në Gjermani, pasi një gjykatë apeli refuzoi kërkesën e tij për ndalimin e deportimit.

“Vullneti i Karl Berger për të punuar si roje në një kamp nazist nuk mund të fshihet dhe nuk do të injorohet”, tha ndihmësprokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Brian C. Rabbitt. Berger punoi në një kamp përqendrimi në Mepen, Gjermani në dimrin e vitit 1945.

“Ai ka qenë pjesë aktive e një prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore. U përpoq që ta linte pas të kaluarën duke u shpërngulur në SHBA, por falë përkushtimit të personave në Departamentin e Drejtësisë dhe të Sigurisë Kombëtare, e vërteta doli në shesh”, tha nëndrejtori i Agjencisë së Doganave dhe Emigracionit, Louis A. Rodi III.

Berger, tashmë i ve, mbërriti në SHBA në vitin 1959 bashkë me gruan dhe vajzën. Ai deklaroi për “Washington Post”: “Pas 75 vitesh kjo është qesharake. Nuk e besoj dot. Nuk mund të kuptoj sesi ndodhi në një vend si ky. Unë isha 19 vjeç, më detyruan të shkoja atje”.