Rrugëtimi i aeroportit, premtimi për Vlorën, prej 5 vitesh projekt në letër

Ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, është një premtim i qeverisë Rama që prej zgjedhjeve të vitit 2015.

Pengesat për realizimin e tij, kanë qenë të ndryshme përgjatë këtyre viteve. Fillimisht ishte klauzola e ekskluzivitetit në kontratën koncesionare të aeroportit të Tiranës, që u zgjidh pas rinegocimit të kushteve mes shtetit dhe koncesionarit, ku u vendos për zgjatjen e kontratës me 5 vite të tjera.
Pengesa e radhës ishte forma e financimit të projektit.

Në shkurt 2017, Rama u takua me presidentin turk Erdogan, duke treguar për shfaqjen e interesit nga konsorciumi turk që kishte realizuar edhe aeroportin e ri të Stambollit. Por, pas thuajse dy vitesh negociatat dështuan, për shkak se turqit e panë projektin si pak fizibël dhe kërkuan garanci shtesë.

Atëherë u vendos që aeroporti i Vlorës t’i drejtohej procedurave të tenderimit ndërkombëtar dhe të jepej me PPP për 35 vite. Por, pak muaj pas shpalljes së garës, pandemia u bë pengesa e radhës. Tanimë me rihapjen e tenderit, sërish nuk pritet një fluturim pa turbullira drejt nisjes së ndërtimit.

Gjendja e rënduar financiare e industrisë së transportit ajror, problemet e mundshme me pronësinë mbi truallin, largësia e terminalit nga zona e bregdetit që do të furnizojë me turistë, infrastruktura mbështetëse dhe kushtet e kontratës dhe garancitë që do të kërkohen, janë të gjithë faktorë që mund të shtyjnë më tej datën kur një avion mund të ulet në Vlorë.