Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

"Transparenca" e shëndetësisë, si po tkurret raportimi për vdekjet nga Covid-19?

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2020, 16:40 | Aktualitet
"Transparenca" e shëndetësisë, si po tkurret raportimi

“100% transparencë që nga dita e parë e epidemisë”. Ky është qëndrimi i Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sa herë pyetet nga mediat për gjendjen reale nga pandemia e veçanërisht pasi sulmohet nga opozita.

Por, sesa e hapur është ministrja përgjegjëse për këtë situatë të pazakontë, këtë e dëshmon mënyra sesi kanë ndryshuar raportimet për humbjet e jetës nga fillimi i pandemisë deri tani.

Tri ditë pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus në vend, Ministria e Shëndetësisë mbylli konferencat për mediat. I xhironte vetë dhe i transmetonte online në një orë të caktuar. Si fillim, dhe humbjet e jetës raportoheshin në mënyrë të detajuar, me inicialet e pacientit, moshën dhe sëmundjet apo komplikacionet që kishte kaluar.

Por pak muaj më vonë, informacioni ndryshoi, duke u hequr nga raportimi inicialet e pacientëve që ndërronin jetë. Nuk kaloi shumë dhe raportimi për vdekjet nga koronavirusi, ndryshoi sërish. Sqarimet për sëmundjet e tjera që kishte pacienti krahas Covid-it u hoqën. Në vend të tyre, u përdor termi sëmundje bashkëshoqëruese.

Me shtimin e vdekjeve, informacioni vetëm tkurrej. Aq sa shumë njerëz filluan te ngrinin dyshime se njoftimi zyrtar nuk përfshinte të afërmit, fqinjët apo të njohurit që kishin humbur jetën nga koronavirusi.
Pas këtyre zërave, në tetor Ministria mbylli përditësimet online nga specialistët dhe të dhënat jepen vetëm të shkruara. Por pas sulmeve të fundit të opozitës për fshehjen e numrit të vdekjeve, Ministria reduktoi sërish raportimin duke hequr moshën e çdo pacienti që ndërron jetë.

Ministria vijon ta quajë transparencë ndaj qytetarëve, ndërsa heziton të publikojë protokollin që përcakton një humbje jete si rast me Covid. E ndërsa situata po përkeqësohet, informacioni i autoriteteve po tkurret edhe më shumë. Duke shtuar kështu ankthin te qytetarët, ndërsa transparenca po e humb përditë kuptimin e saj.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani