Abuzimi me fëmijët, zv.ministrja Kuko: Jemi fokusuar te parandalimi, prindërit të ndërgjegjësohen

Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, ka folur në studion e “Dita Jonë” në A2 CNN për raportin e UNICEF të hartuar me qeverinë shqiptare sa i takon abuzimit online me fëmijët dhe forcimit të ligjeve.

Sipas Kukos, legjislacioni është shumë i rëndësishëm, por fokusi kryesor është te parandalimi i abuzimit online me fëmijët, duke krijuar një hartëzim të agresorëve. Ajo theksoi se një rol të rëndësishëm ka edhe ndërgjegjësimi i prindërve.

“Ka të bëjë me pjesën e qasjes, fëmijët luajnë në platforma të ndryshme këto platforma kanë edhe chat online dhe linjë komunikimi dhe nëse prindi e lë fëmijën pa kontroll ndodh momenti i parë i qasjes së agresorit ndaj fëmijës. Duhet të krijojmë hartëzim se ku janë këta njerëz. Njohuria e prindit për aplikacionet është e rëndësishme dhe duhet të ndërgjegjësohen. Pjesa ligjore është parimi kryesor ne duam të fokusohemi te parandalimi, që ne të dimë hartën e personave që janë në Republikën e Shqipërisë. Nëse ke 5 individë që shkëmbejnë imazhe të papërshtatshme të fëmijëve është problem shumë i madh dhe ne këto donim të bënim të hidhnim dritë mbi hartëzimin. Kemi një koordinatë më të saktë të këtyre personave”.

Sfidë të madhe ka konsideruar zv.ministrja Kuko edhe ndryshimet ligjore për domain.al, që është i teti në botë për imazhet e turpshme dhe i treti në Evropë.

“Në vitet e fundit kemi avancim të njësive kundër krimit kibernetitk, por duhet të rregullojmë pjesën e legjislacionit. Vende të BE-së i kanë ndërtuar gardhet e tyre ligjore, për sa i përket përdorimit të domain.al dhe shpërndarjes së imazheve. Por, janë rrugët që agresorët gjejnë për të shkëmbyer imazhe të tilla. Është zhvillim që kërkon avancim dhe financim. Sa i takon dënimeve po shohim ndryshimet ligjore për domain online jo vetëm për fëmijët, por edhe terrorizimin. Platforma për shpërndarjen e propagandës terroriste, ne kemi pasur shtetas shqiptarë që kanë udhëtuar në Siri e Irak, por është sfidë e madhe”.