Pak kandidatë, Kushtetuta “bllokon” ngritjen e Kushtetueses

Vendimet më të fundit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në lidhje me plotësimin e tri vendeve të lira në Kushtetuese, çojnë në një situatë delikate ligjore, procesin e ngritjes së gjykatës, kusht për integrimin e vendit në BE. Kjo për faktin se për dy nga këto pozicione të lira numri i kandidatëve është më pak se tre, numri minimal i kërkuar nga Kushtetuta.

Në mbledhjen e së hënës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi skualifikoi për të dytën herë radhazi kandidatët Eugen Papandile dhe Zhaklina Peto, që ishin rifutur në garë pasi Gjykata e Apelit Administrativ shfuqizoi vendimin e mëhershëm për skualifikimin e tyre.

Në këtë mënyrë, për vendin e lënë bosh nga Besnik Muçi janë në garë vetëm dy kandidatë. Me më pak se tre kandidatë mbetet edhe gara për pozicionin e Fatos Lulos. KED kualifikoi Altin Binajn, por ndaloi kandidimin për Ilir Haznedarin. Cilado qoftë vendimmarrja e KED për kandidati i tretë, numri minimal i tre kandidatëve nuk plotësohet.

Ndryshe është situata për vakancën e tretë, ku KED ka për të shqyrtuar nëse plotësojnë kushtet ligjore edhe 5 kandidatë. Vonesë në proces sjellin edhe ankimet e kandidatëve të skualifikuar, mes të cilëve edhe Eugen Papandile, që duket se do të vijojë betejën. I kontaktuar nga A2, Papandile konfirmoi se do të ankimojë vendimin e KED në Gjykatës Administrative të Apelit.

Kjo do të thotë se KED duhet të frenojë procesin derisa Apeli të shprehet me vendim. Në kushtet kur numri i kandidaturave për dy vakanca ka rënë nën tre dhe Kushtetuta kërkon së paku 3 kandidatë, dhe kur nevoja për Kushtetuesen është e ngutshme, palët në proces, Kuvendi dhe Presidenca, ose do të rishpallin vakancat, ose do të bien dakord për të shkelur Kushtetutën në favor të ringritjes së Gjykatës Kushtetuese.